81-vjetori i lindjes së Rugovës, Osmani: Ai mbetet frymëzim i përhershëm dhe simbol i qëndresës

02.12.2025

Sot shënohet 81-vjetori i lindjes së ish-presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, figurës që la gjurmë të pashlyeshme në rrugën e shtetformimit dhe pavarësisë së vendit.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar rolin dhe kontributin e Rugovës, duke e cilësuar atë si një udhëheqës të urtë, vizionar dhe të palëkundur në rrugën drejt lirisë.

Presidentja Osmani thekson se Rugova mbetet frymëzim i përhershëm, si dhe simbol i qëndresës dhe i ëndrrës për një Kosovë të lirë, të pavarur e demokratike.

Në postimin e saj, Osmani shkroi ndër të tjera:

“I lindur 81 vjet më parë, arkitekti i pavarësisë, Presidenti historik dr. Ibrahim Rugova ishte zëri i arsyes dhe vendosmërisë në kohë të errëta, si dhe udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë.
Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore.
Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike.
Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike.
Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”

Ibrahim Rugova, i njohur gjerësisht si arkitekti i pavarësisë së Kosovës, vazhdon të mbetet figurë kyçe në kujtesën politike dhe shoqërore të vendit, ndërsa vizioni i tij për një Kosovë europiane dhe demokratike vazhdon të frymëzojë brezat e rinj.