72 vatra zjarri dje në Kosovë – kërkohet ndërhyrja e KFOR-it nga ajri në Kamenicë

13.08.2025

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) për ditën e djeshme, 12 gusht 2025, në vend janë regjistruar gjithsej 72 vatra zjarri.

Nga to, 11 vatra kanë mbetur aktive, ndërsa 61 të tjera janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave të tjera mbështetëse.

Menaxhimi i situatës është zhvilluar në koordinim të ngushtë mes Njësive të Zjarrfikjes, Qendrave Operative 112 dhe Policisë së Kosovës. Situata më e rënduar është raportuar në Komunën e Kamenicës, në fshatrat Tugjevc dhe Gmicë, ku në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm edhe Drejtori Ekzekutiv i AME-së për të ndjekur nga afër zhvillimet. Në këtë rast, është bërë kërkesë për angazhim të KFOR-it për ndërhyrje nga ajri në shuarjen e flakëve.

AME/MPB kanë shprehur mirënjohje për përkushtimin dhe bashkëpunimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës, KFOR-it, komunave dhe qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës.