7 marsi – Dita e Mësuesit, të hënën në shkolla organizohen disa aktivitete

04.03.2022

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se për Ditën e Mësuesit në shkolla do të organizohen disa aktivitete. Ndonëse në vitet e kaluara u organizuan manifestime qendrore në Prishtinë, Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut ka theksuar se kësaj radhe nuk do të organizojnë kësi lloj manifestime, por që […]

7 marsi – Dita e Mësuesit, të hënën në shkolla organizohen disa aktivitete Foto: Ilustrim

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka bërë të ditur se për Ditën e Mësuesit në shkolla do të organizohen disa aktivitete.

Ndonëse në vitet e kaluara u organizuan manifestime qendrore në Prishtinë, Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut ka theksuar se kësaj radhe nuk do të organizojnë kësi lloj manifestime, por që aktivitetet do të jenë të shpërndara nëpër shkolla.

Ai tha se me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe gjendja me pandeminë COVID-19 e cila po krijon probleme ndonjëherë më të mëdha ndonjëherë më të vogla, ka bërë që këtë aktivitet ta shpërndajnë nëpër komuna.

“Para pandemisë SBASHK e kishte tradite që të organizojë manifestim qendror në sallën 1 tetori duke i bërë bashkë kolegët tanë, e duke u ndarë nga një mirënjohje mësimdhënësve që janë pensionuar për punën që kanë bërë me vite në arsim. Mirëpo rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik dhe gjendja me pandeminë e cila po krijon probleme ndonjëherë më të mëdha ndonjëherë më të vogla, ka bërë që këtë aktivitet ta shpërndajnë nëpër komuna”, tha Jasharaj për Telegrafin.

Gjithashtu, i pari i SBASHK-ut ka bërë të ditur se në komunat e Kosovës do të ndahen mirënjohje për mësimdhënësit që tashmë janë pensionuar.

Jasharaj ka shtuar se në të gjitha komunat e Kosovës, niveli komunal, sindikal do të bëjë takime me të pensionuarit, duke iu ndarë mirënjohje dhe duke u shprehur respektin për punën.

“Pra në të gjitha komunat e Kosovës, niveli komunal, sindikal do të bëjë takime me të pensionuarit, duke iu ndarë mirënjohje dhe duke u shprehur respektin, për punën që kanë bërë e po ashtu dhe në institucionet shkollore më 7 mars, do të bëjnë aktivitete modeste për ta shënuar këtë datë të madhe”, deklaroi ai.

Kreu i SBASHK-ut, po ashtu ka bërë të ditur se edhe këtë vit planifikojnë që të dërgojnë në bregdetin shqiptar disa mësimdhënës në muajin qershor.

“Këshilli drejtues ka autorizuar dhe nga buxheti i SBASHK ka autorizuar mjete, nëse situata është e qetë edhe këtë vit do të vazhdojmë traditën e mirë për të dërguar në bregdetin shqiptar një numër të konsiderueshëm të punëtorëve të arsimit, ne po shikojmë mundësitë buxhetore dhe sa anëtarë do të dërgojmë.

Pastaj, mbetet që komunat t’i caktojnë institucionet, dhe institucionet të vendosin se kush nga të punësuarit do të shkojë, nëse situata nuk përkeqësohet edhe këtë vit ka fundi i qershorit, SBASHK do të dërgojë rreth 450 mësimdhënës në bregdetin shqiptar”, ka deklaruar ai.