30 vetvrasje për shtatë muaj – ekspertët japin arsyet, kërkojnë reagimin e institucioneve

02.10.2021

Numri i rasteve të vetvrasjeve vazhdon të jetë shqetësuese për vendin tonë, ku brenda shtatë mujave të parë të këtij viti sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 30 vetvrasje. Ndërsa, sipas të dhënave të policisë, në këtë periudhë kanë ndodhur edhe 100 tentim vetvrasjesh. Në vitin 2019 ishin raportuar 31 raste të […]

30 vetvrasje për shtatë muaj – ekspertët japin arsyet, kërkojnë reagimin e institucioneve Foto: Ilustrim

Numri i rasteve të vetvrasjeve vazhdon të jetë shqetësuese për vendin tonë, ku brenda shtatë mujave të parë të këtij viti sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 30 vetvrasje.

Ndërsa, sipas të dhënave të policisë, në këtë periudhë kanë ndodhur edhe 100 tentim vetvrasjesh.

Në vitin 2019 ishin raportuar 31 raste të vetvrasjes, ndërsa në vitin 2020 ishin raportuar 40 raste të tilla, e kjo rritje e këtij numrit të rasteve të vetvrasjeve nga ekspertët e kësaj fsuhe po shihet me shumë shqetësim.

Ata po e konsiderojnë si njërin ndër faktorët që po shpiejnë deri tek kryerja e këtij akti është edhe gjendja e vështirë ekonomike, gjë që po ndikon edhe në shëndetin mendor të qytetarëve.

Kjo dukuri e keqe është në të gjithë botën pa e përjashtuar edhe Kosovën, ku sipas psikologëve dhe sociologëve problemet mendore janë të përditshme.

Por, sipas tyre angazhimi i institucioneve për parandalimin e kësaj dukurie duhet të shtohet.

Disa prej mënyrave që do të ndikonin në uljen e numrit të vetvrasjeve dhe tentim-vetvrasjeve sipas ekspertëve shëndetësorë janë fushatat dhe kampanjat sensibilizuese, diaologu social dhe mënjanimi i stigmës për shëndetin mendor.

Ndërsa, për këto lloj probleme, si në vendet e botës që ekziston një “Linja e Jetës” ku qytetarët kanë mundësi t’u drejtohen për të folur rreth problemeve të tyre në kushte anonimiteti, por për një kohë të gjatë një gjë e tillë në Kosovë ka munguar, por tashmë që nga nëntori i vitit 2019 është hapur një linjë e tillë, linjë kjo e cila merret me njerëzit që kanë mendime për vetvrasje apo edhe kanë nevojë të bisedojnë me dikë.

Dorentina Podrimqaku nga “Linja e Jetës”, thotë se komunikimi dhe largimi i stigmës lidhur me shëndetin mendor është veprim kyç për ndihmën e personave me probleme të shëndetit mendor.

“…ne kemi filluar punën në nëntor të vitit 2019 dhe nga një staf prej 15 personave jemi rritur, prej 66 personave që mundohemi me bë parandalimin e vetëvrasjes. Kjo linjë mundëson që të gjithë personat me telefonuar dhe me biseduar me dikën, ku kemi dashur që me ekzistuar një vend ku mund të bisedojnë lirshëm për problemet e tyre, duke pasur parasysh se sa e madhe është stigma këtu në Kosovë për shëndetin mendor”, tha ajo për EkonomiaOnline.

Ajo thekson se Qeveria dhe institucionet duhet të kenë plane strategjike dhe të punojnë më shumë në këtë drejtim.

“Ne gjithmonë kemi pasur probleme të shëndetit mendor, jo vetëm në Kosovë por kudo por pandemia i ka vendos edhe më shumë në pah, dhe poashtu ka tregu se sa e rëndësishme është që Qeveria dhe institucionet me u kujdes me plane strategjike për shëndetin mendor. Është shumë e rëndësishme që krejt ne të bëjmë diçka më shumë rreth shëndetit mendor”.

Si shumë problematike çështjen e vetëvrasjeve dhe situatën e rënduar të këtyre personave po e sheh edhe psikologu Petrit Thaçi.

Madje sipas tij, pandemia e theu rutinën e përgjithshme të shoqërisë dhe krijoi ndjenja të frikës dhe dështimit.

“Nëse shohim nga konteksti i përgjithshëm i faktorëve të shumtë që janë shkaktarë të dukurisë së vetëvrasjes ose së ideve apo tentativave të vetëvrasjes, ku ndër ta bëjnë pjesë shumë fuqishëm edhe dhuna në familje edhe aspektet ekonomike si çështja e punësimit dhe aspektet sociale. Nga krejt kjo pandemia ka vënë në pikëpyetje të gjitha këto, jetën sociale atë ekonomike dhe prezencën e të dashurve tanë duke rrënuar shumë lidhje emocionale”.

Tutje Thaçi theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mekanizma institucional dhe ligjor në mënyrë që sa më shpejtë të trajtohen rastet të tilla.