26 vjet pa Ukshin Hotin, Kosova kërkon zbardhjen e zhdukjes së tij

16.05.2025

Sot shënohen 26 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit, intelektualit dhe politikanit të shquar kosovar.

Hoti u arrestua në vitin 1994 dhe u dënua me 5 vjet burg për aktivitetin e tij politik. Dënimi i tij do të përfundonte më 17 maj 1999, por një ditë më parë, më 16 maj, ai u nxorr nga Burgu i Dubravës, ku po vuante dënimin, dhe u zhduk pa lënë gjurmë.

Dokumenti i lirimit të Ukshin Hotit, i lëshuar nga Drejtori i Burgut të Dubravës, Aleksandër Rakoçeviq, vërteton lirimin formal të tij më 16 maj 1999. Një shënim dore nga autoritetet e burgut tregon se Hoti ishte i vendosur në dhomën nr. 22. Megjithatë, emri i tij ishte fshirë dhe pranë tij shkruhej “ka mbaruar dënimin”.

Dëshmitë tregojnë se Ukshin Hoti u nxorr nga dhoma e burgut nga mbikëqyrësi Branko Komatina, me vetëm një thes me gjërat personale, dhe që nga ajo ditë nuk dihet asgjë për fatin e tij. Karta e identitetit e mbikëqyrësit Komatina dhe e drejtorit Rakoçeviq përmenden si dëshmi të përfshirjes së tyre në skenarin e zhdukjes, por zinxhiri i përgjegjësisë shtrihet deri në nivelet e larta qeveritare të Serbisë.

16 maji i vitit 1999, dita e supozuar e lirimit, u shndërrua në ditën e zhdukjes së Ukshin Hotit, duke e bërë atë një nga personat e zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Pas zhdukjes së tij, autoritetet serbe kryen masakrën e tmerrshme ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës.

Megjithë publikimin e dokumenteve relevante dhe dëshmive të shumta që nga viti 2011, sistemi prokurorial dhe gjyqësor i Kosovës nuk ka ngritur ende aktakuzë për rastin e Ukshin Hotit. Kjo mungesë veprimi nga Prokuroria Speciale e Kosovës konsiderohet një boshllëk i dhimbshëm në kërkimin për drejtësi.

Republika e Kosovës vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të rastit të zhdukjes së Ukshin Hotit dhe drejtësi për të dhe për të gjithë personat e tjerë të zhdukur me dhunë. Ukshin Hoti mbetet një figurë e rëndësishme e historisë së Kosovës dhe e mendimit politik shqiptar.