26 vjet nga Masakra e Burgut të Dubravës
Sot shënohet 26-vjetori i fillimit të masakrës së Burgut të Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit kundër shqiptarëve në Kosovë.
Midis 19 dhe 24 majit 1999, brenda mureve të këtij burgu u vranë mizorisht 160 të burgosur shqiptarë dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Kjo masakër konsiderohet si një nga aktet më barbare të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Dëshmitarë të shumtë që i mbijetuan këtij tmerri kanë rrëfyer për dhunën e papërshkruar dhe kushtet çnjerëzore me të cilat u përballën të burgosurit.
Pavarësisht nga pesha e këtij krimi dhe dëshmive tronditëse, deri më sot asnjë person nuk është dënuar për masakrën e Burgut të Dubravës, duke lënë një plagë të hapur në kujtesën e popullit të Kosovës dhe duke ngritur pyetje mbi drejtësinë e munguar.