23 vatra zjarri në vend brenda gjashtë orëve, 11 ende aktive
Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative 112 në Qendrën Operative të Agjencisë, gjatë periudhës raportuese nga ora 08:00 deri në 14:00 të datës 9 gusht 2025, në gjithë vendin janë regjistruar 23 vatra zjarri. Nga to, 11 mbeten aktive, ndërsa 12 të tjera janë lokalizuar.
Situata po menaxhohet në koordinim të plotë mes Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Qendrave Operative 112 dhe Qendrës Operative të Agjencisë. Autoritetet theksojnë se njësitë zjarrfikëse dhe strukturat mbështetëse janë në gatishmëri të lartë për të ndërhyrë në çdo moment kur të kërkohet.
Agjencia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo vatër në numrat emergjentë 112, 193 ose 192.
Në raport, Agjencia falënderon zjarrfikësit për përkushtimin e tyre të palodhshëm, Policinë e Kosovës për mbështetje, si dhe qytetarët për bashkëpunimin në menaxhimin e situatës.