​OAK: Bizneset në gjendje të vështirë, mbështetja e shtetit e vonuar dhe e varfër

01.04.2021

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka publikuar sot një hulumtim që ka realizuar në terren për ndikimin e pandemisë COVID-19 në sektorin privat, në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe në mbylljen e shumë prej tyre. Ndikimi i pandemisë në ekonomi, pasojat e krizës së shkaktuara nga COVID-19, gjendja e rënduar e bizneseve si […]

​OAK: Bizneset në gjendje të vështirë, mbështetja e shtetit e vonuar dhe e varfër Foto: Ilustrim

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka publikuar sot një hulumtim që ka realizuar në terren për ndikimin e pandemisë COVID-19 në sektorin privat, në rënien e qarkullimit të bizneseve dhe në mbylljen e shumë prej tyre.

Ndikimi i pandemisë në ekonomi, pasojat e krizës së shkaktuara nga COVID-19, gjendja e rënduar e bizneseve si pasojë e mungesës së ndihmës së duhur nga ana e shtetit si dhe paraqitja e rezultateve konkrete nga hulumtimi i zhvilluar në terren me bizneset, ishin çështjet kryesore të cilat u trajtuan në konferencën për media të mbajtur sot nga Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK).

Në kuadër të kësaj konference Oda e Afarizimit të Kosovës (OAK) ka paraqitur rezultatet konkrete të dala nga hulumtimi lidhur me ndikimin të cilin pandemia ka pasur tek sektori privat.

Sipas rezultateve të përgjithshme konstatohet se në përgjithësi bizneset kanë pësuar humbje të mëdha gjatë gjithë kësaj kohe. Përderisa, sektorët më të prekur rezultuan të ishin gastronomia, prodhimi dhe ndërtimi.

Ndërkohë që 44% e përfaqësuesve të bizeseve kanë deklaruar se e kanë reduktuar numrin e punëtorëve nga një deri në pesë persona përderisa 81% e respondentëve deklaruan se nuk e kanë rritur numrin e punëtorëve.

Zëdhënësja për media në OAK Fjolla Smaili ka paraqitur rezultatet e hulumtimit ku theksoi se sipas përfaqësusesve të bizneseve rikthimi i ekonomisë në nivelin në të cilin ishte para pandemisë do të marr kohë së paku 1 vit. Lidhur me këtë 7.2% e respodentëve janë deklaruar se rikthimi në gjendjen e mëparshme do të marrë kohë 1 vit kohë, 27.2% kanë thënë se do të duhen 2 vite, 39.6% kanë deklaruar se do të duhen 3 vite si dhe 26% kanë potencuar se do të duhen më tepër se 3 vite kohë.

Përderisa ndihma e dhënë nga shteti në përgjithësi është konsideruar si e vonuar dhe e varfër nga 76% e repodentëve, 18% e respodentëve e kanë konsideruar këtë ndihmë paksa të vonuar por të duhurën dhe vetëm 6% kanë thënë se kjo ndihmë ishte me kohë dhe e duhura.

Oda e Afarizmit të Kosovës kërkon nga partitë politike, institucionet dhe Qeveria e vendit që të marrin për bazë rekomandimet e sektorit privat, me qëllim që gjendja edhe ashtu e vështirë e bizneseve mos të përkeqësohet edhe më tepër.

Rekomandimet e OAK-së për partitë politike, institucionet relevante si dhe Qeverinë e vendit janë që:

Të merren masa konkrete nga shteti për të siguruar ndihmë për bizneset në tejkalimin e kësaj situate, veçanarisht ato që janë ose kanë qenë shumë afër falimentimit.

Vendimet e marra nga institucionet e vendit duhet të jenë në koordinim me Odat Ekonomike duke marrë parasysh interesat e bizneseve.

Punonjësit që janë pushuar nga puna për shkak të falimentimit të biznesit duhet të ndihmohen financiarisht.

Të mos vendosen masa kufizuese për funksionimin e bizneseve, por këto të fundit të operojnë në bazë të udhëzimeve të parapara nga IKSHPK.

Çdo masë e ndërmarrë nga shteti për kufizimin të lëvizjes së qytetarëve apo operimit të punës së biznesit duhet të bëhet në koordinim me njohësit e sektorit të ekonomisë.

Si dhe në rast se këto masa kufizuese do të mbeten në fuqi, atëherë barrën e ndihmës për bizneset dhe punonjësit që janë pushuar t’a marrë shteti.

Të ndihmohen drejtpërdrejt sektorët që janë prekur më së tepërmi nga pandemia.

Të mbështetet prodhimi vendor duke u subvencionuar eksporti me 10%.

Të krijohet arka “PATRIOT”.