​KOMF thirrje institucioneve: Fëmijët, prioritet i parë

01.06.2022

KOMF deklaron se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë vazhdon të cenohet. “Të dhënat tregojnë për gjendje të rëndë të mirëqenies së fëmijëve, e sidomos fëmijëve të cenueshëm. 22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. 72% e fëmijëve raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion […]

​KOMF thirrje institucioneve: Fëmijët, prioritet i parë Foto: Group of cute children lying on grass

KOMF deklaron se mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë vazhdon të cenohet.

“Të dhënat tregojnë për gjendje të rëndë të mirëqenies së fëmijëve, e sidomos fëmijëve të cenueshëm. 22.8% e fëmijëve jetojnë në varfëri përderisa 7.2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. 72% e fëmijëve raportohet të jenë të disiplinuar me dhunë (presion psikologjik dhe/ose ndëshkim fizik). 5% e fëmijëve janë të përfshirë në punë. Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç vijojnë programet për edukim në fëmijëri të hershme. 8% e fëmijëve të moshës 7-12 vjeç, janë raportuar të kenë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. Vetëm 38% e fëmijëve që jetojnë në komunitete janë vaksinuar plotësisht”, thuhet në komunikatën për media.

KOMF theksoi se vetëm 1% e buxhetit total të buxhetit qendror ndahet për shërbime sociale. Ofruesit e shërbimeve sociale për mbrojtjen e fëmijëve në vazhdimësi rrezikojnë mbylljen e shërbimeve si pasojë e mungesës së financimit të qëndrueshëm.

“Edhe pse në Kosovë legjislacioni garanton mbrojtjen e fëmijëve, të dhënat tregojnë që në Kosovë vazhdon të ketë shkelje të të drejtave të fëmijëve. Ligji për Mbrojtje të Fëmijës edhe pse ka hyrë në fuqi nga viti 2020, vazhdon të mos gjejë zbatim. Mungesa e zbatimit të legjislacionit, mungesa e vullnetit politik, mungesa e investimeve dhe kapaciteteve mbesin ndër shkaqet kryesore për gjendjen e të drejtave të fëmijëve”, shkruan në komunikatë.

KOMF u bën thirrje institucioneve qendrore dhe komunale të prioritizojnë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve përmes rritjes së buxhetit, ngritjes së kapaciteteve dhe zbatimit të legjislacionit për të siguruar që fëmijët të rriten të shëndetshëm dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë.