Suharekë, dhënia në shfrytëzim e pronës komunale, MAPL thotë se nuk është në përputhje me ligjin
Në seancën e nëntë të rregullt të asamblesë komunale në Suharekë, kuvendi komunal ka nxjerrur vendim për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës nuk është në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e MAPL-së.
Në arsyetimin e vet, MAPL-ja sqaron se Kuvendi i Suharekës në mbledhjen e mbajtur më datë 26.09.2024, ka miratuar Vendimin 01 Nr. 016-56304, me anë të cilit jepet pëlqimi për të zhvilluar procedurat e ankandit publik për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër deri në pesë vite të pronës së paluajtshme të komunës.
MAPL ka konstatuar së vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së Suharekës është në kundërshtim me Ligjin Nr.06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, dhe Rregulloren (QRK) Nr. 09/2022 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të komunës, përkatësisht me paragrafin 4 të nenit 6 të Rregullores (QRK) Nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të përkohshëm dhe këmbimit të pronës së paluajtshme të komunës, sipas të cilit: “Pronat e paluajtshme të komunës që nuk janë në listën e veçantë të pronave që planifikohen për dhënien në shfrytëzim për vitin vijues si dhe nuk kanë miratim paraprak nga Kuvendi i Komunës nuk mund të jepen në shfrytëzim”.
Pas përgjigjes nga MAPL, Kuvendi i Komunës së Suharekës, planifikon që në mbledhjen e radhës të shfuqizojë vendimin 01-Nr-016-56304 të datës 26.09.2024.