Suhareka hap dyert për mërgimtarët – Kryetari Muharremaj u jep përparësi për parkingje në zemër të qytetit!
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka marrë një vendim administrativ për të rregulluar qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit të verës.
Foto: Ilustrim
Vendimi, i cili ka hyrë në fuqi më 11 korrik, lejon hyrjen e automjeteve me targa të huaja (të mërgimtarëve) në disa hapësira publike të qytetit deri më 20 gusht 2025.
Sipas vendimit, mërgimtarëve u lejohet përdorimi i këtyre hapësirave:
- Oborri i Komunës,
- Oborri i SHFMU “7 Marsi” Suharekë,
- Hapësira e parkingut pranë ish-tregut të qytetit (përballë Parkut të Dëshmorëve).
Ndërkohë, punonjësve të administratës komunale u ndalohet hyrja me automjete në këto hapësira gjatë periudhës së lartpërmendur, në mënyrë që t’u krijohet lehtësi dhe përparësi mërgimtarëve që vizitojnë vendlindjen e tyre gjatë verës.
Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar sektori i shërbimeve të përbashkëta – punëtorët e portës, ndërsa çdo shkelje e këtij vendimi do të trajtohet si shkelje e kodit të mirësjelljes në punë dhe do të pasohet me masa disiplinore, në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës.
Vendimi është komunikuar me Drejtorinë e Administratës dhe është arkivuar zyrtarisht.
Kjo nismë e Kryetarit Muharremaj vjen si një gjest mikpritës për bashkatdhetarët që ndihmojnë vendin në shumë forma dhe si pjesë e përpjekjeve për ta lehtësuar qasjen e tyre gjatë qëndrimit në Suharekë.