“Pagesa sipas vendimeve gjyqësore”, vetëm në tetor Komuna e Suharekës pagoi afër 800 mijë euro
787.300,58 € është shuma totale që i ka kushtuar Komunës së Suharekës vetëm gjatë muajit tetor 2024 dhe atë për kodin buxhetor “Pagesa sipas vendimeve gjyqësore”.
Në shpenzimet komunale të Komunës së Suharekës për muajin tetor 2024, të cilat i ka siguruar SuharekaOnline, figuron që drejtoritë në bazë të kodit buxhetor kanë bërë pagesa sipas vendimeve gjyqësore.
Pothuajse të gjitha drejtoritë kanë pasur pagesa sipas këtyre vendimeve me ç’rast shkaktojnë vonesa në realizimin e investimeve kapitale sipas planifikimit paraprak.
Edhe pse ende nuk dihet shuma e saktë se sa prej këtyre 787 mijë eurove janë paguar si derivat i obligimeve nga kontrata kolektive, e që janë tërhequr me vendime gjyqësore dhe procedura përmbarimore, ende mbetet shqetësim se situata të tilla do të paraqiten pothuajse çdo muaj.
Kujtojmë se në fund të muajit tetor si shkak i pagesave sipas vendimeve gjyqësore dhe atyre përmbarimore llogaria bankare e Komunës së Suharekës, ishte bllokuar. Kjo ishte bërë temë edhe në nivelin qendror.
Në mbledhjen e fundit të asamblesë komunale të Suharekës, kryetari Bali Muharremaj, ka ngritur shqetësimin se situata të tilla mund të përsëriten edhe në muajt në vijim.
Shpenzimet-Komunale-TETOR-2024