Bllokimi i llogarive, Ardian Shala: Papërgjegjësi dhe zvarritje e qëllimshme e obligimit ligjor nga ana e kryetarit
Për shkak të procedurave përmbarimore dhe vendimeve të formës së prerë nga ana e gjykatave të hënën është bllokuar llogaria bankare e Komunës së Suharekës.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe kryetari i degës së LDK-së në Suharekë, Dr.Ardian Shala.
Përmes një shkrimi në profilin e tij në facebook Shala ka fajësuar kryetarin aktual të Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, si të papërgjegjshëm dhe zvarritje e qëllimshme e obligimit ligjor nga ana e kryetarit te Komunes së Suharekës.
Sipas Dr. Ardian Shalës kjo papërgjegjësi e sjell komunën në anarki totale dhe bllokim te funksionimit normal të Komunës.
“Papërgjegjësia dhe zvarritja e qëllimshme e obligimit ligjor nga ana e kryetarit te Komunes së Suharekës e sjell komunën në anarki totale dhe bllokim te funksionimit normal të Komunës.
U bëj apel të gjitha organeve shtetërore relevante si të nivelit lokal ashtu edhe të atij qëndror që t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme në mënyrë që të shbllokohet xhirollogaria e Komunës.
Është e papranueshme të bllokohet jeta ekonomike në Komunën tonë. Kjo godet rëndë bizneset e mëdha e të vogla, punonjësit e institucioneve publike dhe qytetarët në përgjithësi. Qytetarët e komunës sonë nuk meritojnë trajtim të këtillë.
Kryetari i komunës ka për obligim t’i përfundojë të gjitha marrëveshjet kontraktuale të cilat vijnë si detyrime ligjore nga instancat e qëndrore të qeverisjes. Prandaj për të mos ardhur deri ky bllokim skandaloz i xhirollogarisë do të duhej të bëhej me kohë planifikimi financiar, si p.sh. ne Obiliq e Drenas” ka shkruar Shala.