Gjermani, kufizime ndihmës financiare për azilkërkuesit

13.05.2024

EICHSFELD, Germany – Kur Erdina Laca del për të blerë ushqime në qytetin gjerman Eichsfeld, ajo përdor për të paguar një kartë të posaçme që është vetëm për azilkërkuesit.

Gjermani, kufizime ndihmës financiare për azilkërkuesit Foto: Ilustrim

Ajo nuk paguan më me para të thata për mollët, vezët dhe peshkun, siç bëjnë shumica e gjermanëve që qëndrojnë në radhë bashkë me të.

45-vjeçarja mbërriti nga Shqipëria së bashku me bashkëshortin dhe tre fëmijët e tyre dhe aplikuan për azil në Gjermani në shtator. Familja jeton tani në bashkinë Eichsfeld të landit Thuringia, në lindje të vendit. Ata janë ndër të parët në Gjermani që filluan ta marrin gjysmën e ndihmës financiare drejtpërdrejt në një kartë.

“Me gjysmat e parave që gjenden në kartë, mundem të blej ushqime, ndërsa me gjysmën tjetër në para të thata mund të blej në dyqane çfarë nevojitet tjetër për veten dhe fëmijët”, thotë zonja Laca.

Rregulli i ri që u miratua nga parlamenti muajin e kaluar, parashikon që azilkërkuesit ta marrin ndihmën financiare nëpërmjet kartave, të cilat mund t’i përdorin nëpër dyqane dhe për të paguar për shërbimet. Ata do të mund të tërheqin vetëm shuma të kufizuara parash dhe nuk do t’u lejohet t’i transferojnë paratë jashtë Gjermanisë. Synimi është që t’u ndalohet emigrantëve dërgimi i parave për familjarët apo miqtë jashtë vendit, apo për trafikantët e qenieve njerëzore.

Organizatat për të drejtat e emigrantëve i kanë kritikuar rregullat e reja si diskriminuese, në veçanti pasi po zbatohen në një vend që vazhdon të preferojë përdorimin e parave të thata, krahasuar me shumë vende të tjera evropiane. Disa biznese në Gjermani, në veçanti restorantet, shpesh nuk pranojnë të paguhen me karta.

Aktivistët për të drejtat e emigrantëve thonë se njerëzit që u largohen luftërave dhe persekutimit nuk do të dekurajohen nga ardhja në Gjermani, vetëm për shkak se ndihma financaire nuk do t’u jepet më vetëm në para të thata. Aktivistët thonë se këto karta në të vërtetë do t’i veçojnë në publik emigrantët dhe se ata mund të refuzohen më tej nga pikëpamja sociale.

Gjermania është përpjekur prej muajsh të frenojë emigracionin dhe masat e reja u morën vetëm disa javë para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian më 9 qershor.

Partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka shfrytëzuar qëndrimin e ashpërsuar të gjermanëve ndaj emigrantëve. AfD-ja, e cila mban një qëndrim kundër emigracionit, pritet të marrë mbështetje më të madhe se niveli 10.3% që fitoi gjatë zgjedhjeve të fundit federale në vitin 2021.

Qëndrimet ndaj emigracionit janë ashpërsuar në Gjermani pasi kanë mbërritur një numër i madh azilkërkuesish, krahas refugjatëve nga Ukraina, dhe autoritetet lokale kanë vështirësi për t’u siguruar atyre strehim.

Numri i personave që aplikuan për azil në Gjermani vitin e kaluar arriti në mbi 350 mijë, një rritje me mbi 50% krahasuar me një vit më parë. Numri më i madh i azilkërkuesve ishin nga Siria, të pasuar nga turqit dhe afganët.

Në janar, ligjvënësit miratuan legjislacionin që synon të lehtësojë dëbimin e azilkërkuesve të cilëve nuk u miratohet aplikimi. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë vazhdimisht se autoritetet duhet t’i përshpejtojnë deportimet.

Gjermania, si disa vende të tjera evropiane, gjithashtu ka filluar të klasifikojë disa vende, si Moldavia dhe Gjeorgjia, si “vende të sigurta të origjinës” – që do të thotë se azilkërkuesit nga këto vende mund të refuzohen dhe të dëbohen më shpejt se në të kaluarën. /VOA