Kosova dhe Izraeli forcojnë bashkëpunimin në arsim, me fokus në bujqësi, teknologji dhe menaxhim të ujërave
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv dhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, u pajtuan në një takim që bashkëpunimet universitare mund të forcojnë urat e miqësisë mes dy popujve e shteteve.
Një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve bilaterale është shënuar me takimin e ambasadores së Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu. Të dy palët kanë shprehur interes të thelluar për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën e arsimit të lartë.
Rektori Hajrullahu ka theksuar interesin e Universitetit të Prishtinës për të bashkëpunuar me institucionet akademike izraelite, veçanërisht në fushat e bujqësisë, teknologjisë informative dhe menaxhimit të ujërave. Këto fusha janë identifikuar si prioritare për zhvillimin e Kosovës dhe për të cilat Izraeli ka ekspertizë të lartë.
Në këtë drejtim, ambasadorja Ziv ka propozuar bashkëpunim të Universitetit të Prishtinës me institucione të njohura izraelite siç janë Technion – Instituti i Teknologjisë së Izraelit, për teknologjinë informative dhe menaxhimin e ujërave, i cili konsiderohet si lider botëror në këtë fushë. Po ashtu, ambasadorja ka vlerësuar lartë programet e bujqësisë të Universitetit Hebraik në Jerusalem dhe Institutin qeveritar të Hulumtimeve Volcani.
Një tregues i qartë i interesit të rritur për bashkëpunim është fakti se një student nga Kosova aktualisht po ndjek studimet e masterit në Universitetin e Haifas, ndërsa pritet që së shpejti të nisin studimet edhe dy studentë të tjerë.
Bashkëpunimi midis dy universiteteve do të shtrihet edhe në nivelin e stafit akademik dhe studentëve, me mundësi për shkëmbime dhe projekte të përbashkëta. Universiteti Veror i Prishtinës, që sivjet feston 25 vjetorin e themelimit, do të jetë një platformë e mirë për të nxitur këto bashkëpunime.
Ky takim konfirmon dëshirën e të dyja palëve për të forcuar lidhjet akademike dhe kulturore. Bashkëpunimi në fushën e arsimit do të kontribuojë në zhvillimin e burimeve njerëzore në Kosovë dhe do të thellojë miqësinë dhe bashkëpunimin midis dy vendeve.