Një nga rrugët e Nju Jorkut merr emrin “Isa Boletini”
Të dielën, një nga rrugët e qytetit të Nju Jorkut mori emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini, një nderim ky që shënon respektin për një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë dhe Kosovës.
Përurimi i rrugës u bë në një ceremoni të veçantë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci.
Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, theksoi rëndësinë e këtij momenti, duke e konsideruar si një sinjal të fuqishëm që lidh popullin shqiptar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Me ftesë të Kongresit Amerikan, pata nderin e veçantë që sot në Nju Jork të jem pjesë e përurimit të rrugës që tani e tutje mban emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini. Ky moment shënon jo vetëm respektin ndaj një simboli të pathyeshëm të lirisë, por edhe lidhjen e fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet popullit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara. ‘Isa Boletini’ në Nju Jork është një mesazh i fuqishëm për brezat e rinj se liria dhe dinjiteti janë vlera që duhet mbrojtur çdo ditë”, shkroi Peci.
Ky përurim vjen si një vlerësim për kontributin e Isa Boletinit në luftën për liri dhe si një nderim për historinë dhe kulturën shqiptare që gjen vend edhe në qytetet më të njohura ndërkombëtarisht. Rruga me emrin e tij do të kujtojë gjithmonë për vizionin dhe sakrificat e një figure që simbolizon guximin dhe qëndresën kombëtare.
Ky moment gjithashtu shënon edhe thellimin e marrëdhënieve dhe solidaritetit mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve amerikane, duke shërbyer si një urë lidhëse ndërmjet dy popujve.