Rënie e lejeve të qëndrimit në Evropë gjatë vitit 2024, Gjermania dhe Spanja mbeten destinacionet kryesore

28.09.2025

Në vitin 2024, vendet e Bashkimit Evropian lëshuan rreth 3.5 milionë leje qëndrimi për herë të parë për qytetarë nga vende jashtë BE-së. Kur përfshihen edhe shtetet e EFTA-s, Zvicra (47,500) dhe Norvegjia (23,600), shifra arrin në 3.57 milionë.

Kjo përfaqëson një ulje prej 8 për qind ose rreth 315 mijë leje më pak se në vitin 2023, i cili mbetet viti rekord me 3.8 milionë leje të lëshuara.

Lejet e para të qëndrimit janë autorizime të reja që japin shtetet evropiane për qëndrimin e qytetarëve jashtë BE/EFTA për arsye të ndryshme si punësimi, bashkimi familjar, studimet ose arsye të tjera. Ato mund të jenë të vlefshme nga tre muaj deri në disa vite dhe përfshijnë edhe rastet kur ndryshohet statusi i qëndrimit ekzistues.

Rënia e numrit në vitin 2024 lidhet kryesisht me 12 për qind më pak leje për punësim, 6.5 për qind më pak për ribashkim familjar, si dhe një ulje prej 10 për qind për arsye të tjera. Ndërkohë, lejet për arsye studimi shënuan një rritje të lehtë prej 0.8 për qind.

Në nivel kombësish, rëniet më të mëdha u regjistruan tek qytetarët nga Bjellorusia (-38%), Turqia (-13%), Afganistani (-10%) dhe India (-9%). Sa i përket vendeve pritëse, uljet më të ndjeshme u shënuan në Estoni (-42%), Maltë (-30%), Poloni (-24%) dhe Gjermani (-18%). Në të kundërt, një rritje u pa në Greqi (+24%) dhe Qipro (+16%).

Nga ana e destinacioneve kryesore, më së shumti leje qëndrimi iu dhanë qytetarëve të Ukrainës (295,600), Indisë (192,400) dhe Marokut (188,400). Në kategori të ndara, punësimi ishte arsyeja kryesore për 1.1 milionë leje (32% e totalit), ndërsa ribashkimi familjar përbënte rreth 950 mijë leje (27%). Studimet përfshinë 549,400 leje (16%), ndërsa arsye të tjera, si mbrojtja ndërkombëtare, përbënin rreth 886 mijë leje (25%).

Në aspektin e vendeve, Spanja (561,640) ishte shteti që lëshoi më së shumti leje qëndrimi, e ndjekur nga Gjermania (544,987), Polonia (489,000), Italia (346,411) dhe Franca (342,208). Ndërsa në raport me popullsinë, më lart u renditën Malta (52 leje për 1,000 banorë) dhe Qipro (41), ndërsa nivelet më të ulëta u regjistruan në Rumani, Bullgari dhe Estoni (rreth 3 për 1,000).

Në vendet e mbuluara nga rrjeti mediatik The Local, shifrat e lejeve të para të qëndrimit për vitin 2024 ishin: Spanjë (561,640), Gjermani (544,987), Itali (346,411), Francë (342,208), Suedi (66,817), Austri (65,668), Zvicër (47,518), Danimarkë (47,067) dhe Norvegji (23,589).