Shkatërrohet rrjeti shqiptar i drogës në Austri dhe Gjermani – 10 të arrestuar dhe sasi të mëdha droge të sekuestruara
Një rrjet i organizuar shqiptar i trafikimit të drogës, që dyshohet se ka vepruar në zonën e Vjenës që nga vera e vitit 2020, është goditur rëndë nga autoritetet austriake dhe gjermane.
Foto: Ilustrim
Policia e Austrisë së Poshtme njoftoi të hënën për 10 arrestime të kryera në një operacion të koordinuar mes dy shteteve.
Sipas njoftimit zyrtar, shtatë të dyshuar ndodhen aktualisht në paraburgim në burgun e njohur Vjenë-Josefstadt, ndërsa tre të tjerë janë ndaluar në Gjermani – njëri në pritje të ekstradimit dhe dy të tjerë përballen me procedura penale në vendin fqinj.
Gjatë operacionit janë sekuestruar nëntë kilogramë kokainë, 64 kilogramë kanabis bimor dhe 44,265 euro në para të gatshme, ndërkohë që autoritetet dyshojnë se banda ka qarkulluar gjithsej të paktën 32 kilogramë kokainë dhe 65 kilogramë kanabis, me një vlerë që arrin në rreth 2.5 milionë euro.
I dyshuari kryesor i këtij rrjeti është një shtetas shqiptar 32-vjeçar, rezident në lagjen Gänserndorf të Vjenës. Sipas hetimeve, organizatori i dyshuar i rrjetit është xhaxhai i tij, një 48-vjeçar që jeton në Duisburg të Gjermanisë.
Operacioni u drejtua nga Zyra e Policisë Kriminale të Shtetit të Austrisë së Poshtme, në bashkëpunim me autoritetet hetimore gjermane dhe Ministrinë e Brendshme të Austrisë. Arrestimet u realizuan njëkohësisht në disa lokacione më 26 dhe 28 maj, në kuadër të një aksioni të koduar “La Familia”.
Të dyshuarit e arrestuar janë nëntë burra shqiptarë dhe një grua me shtetësi sllovake. Roli i tyre në rrjet përfshinte kontrabandimin, shpërndarjen dhe ruajtjen e drogës në pika të caktuara (të ashtuquajturit “roje bunkerësh”).
Operacioni i përbashkët shihet si një nga goditjet më të mëdha të viteve të fundit ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës me rrënjë në Ballkan. Autoritetet e të dy vendeve vijojnë hetimet për të zbuluar lidhje të tjera të mundshme dhe për të dokumentuar tërësisht veprimtarinë e këtij rrjeti të sofistikuar kriminal.