Kultura kosovare prezantohet në Vjenë në mbrëmjen gala “Costumes of the World 2026”
Kosova është prezantuar në mbrëmjen gala ndërkombëtare “Costumes of the World 2026”, e cila u mbajt më 25 shtator në Sallën Festive të Komunës së Vjenës.
Në këtë ngjarje, ku morën pjesë përfaqësues nga më shumë se 30 vende të botës, Kosovën e përfaqësuan valltarët e Ansamblit “Hyjnesha” nga Grazi.
Ata sollën në skenë kostume autentike nga trevat shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe performuan një valle me motive popullore shqiptare.
Pjesë e prezantimit ishte edhe këndi kulturor i Kosovës, ku pjesëmarrësit patën mundësi të njiheshin më nga afër me traditat, kulturën dhe ushqimet tradicionale kosovare.
Pjesëmarrja në këtë ngjarje shërbeu si një mundësi për promovimin e kulturës dhe traditave të Kosovës para një publiku ndërkombëtar në Vjenë. Ansambli “Hyjnesha” dhe organizatorët u vlerësuan për kontributin në prezantimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
