Nga Gjermania në Austri, e deri në Hungari – përfundon në pranga 38-vjeçari kosovar i dyshuar për vjedhje

29.07.2025

Një 38-vjeçar nga Kosova, i cili ishte nën hetim prej një kohe për vjedhje të shumta me thyerje në Austri dhe Gjermani, është arrestuar në Hungari dhe pritet të ekstradohet, pavarësisht mohimeve të tij.

Sipas autoriteteve, ai kishte qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga hetuesit, duke lëvizur me dy bashkëpunëtorë. Por në momentin kur situata u tensionua dhe ndodhi përballja me policinë në rrugët e Austrisë së Epërme dhe Bavarisë, ai ishte vetëm.

Kosovari u përfshi në një ndjekje spektakolare policore, ku arriti të arratisej me shpejtësi deri në 180 km/orë, përpara se të pësonte një aksident në Bavari. Fillimisht ai ishte liruar për shkak të mungesës së provave, ndonëse ishte shpallur fajtor për një rast vjedhjeje me thyerje.

Në emër të tij figurojnë tetë vjedhje të ndryshme në biznese – katër prej të cilave tashmë të përfunduara – të kryera në rajonin e Schärding. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga grabitjet llogaritet të jetë rreth 80,000 euro.

Pasi u arrestua në Hungari, autoritetet njoftuan se tani ekzistojnë prova të mjaftueshme për të kërkuar ekstradimin e tij në Austri. Edhe pse ai vazhdon të mohojë çdo përfshirje, procesi i ekstradimit është në vazhdim dhe pritet të përmbyllet së shpejti.