Vendoset gurthemeli i obeliskut për heroin Afrim Bunjaku në Banjskë
Në Banjskë të Zveçanit është vendosur sot gurthemeli i obeliskut kushtuar heroit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e rënies së tij në krye të detyrës.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit, tha se obelisku do të shërbejë si kujtesë për ngjarjet e 24 shtatorit 2023 dhe sakrificën e Bunjakut.
Haxhiu tha se tre vjet më parë, në orët e para të 24 shtatorit, Afrim Bunjaku doli përballë grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë. Sipas saj, sakrifica e tij dhe qëndresa e pjesëtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës bënë që plani i Serbisë të dështonte.
“Obelisku do të qëndrojë në Banjskë që kushdo që kalon ta dijë se çfarë ndodhi në atë vend dhe kush dha jetën duke e mbrojtur”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se ky memorial do të jetë edhe dëshmi se ligji i Republikës së Kosovës vlen në çdo pjesë të veriut të vendit.
Në ceremoninë e sotme morën pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, familjarë të Afrim Bunjakut dhe zyrtarë të tjerë. Para vendosjes së gurthemelit, Haxhiu, Sveçla dhe Hoxha kanë bërë homazhe te varri i Bunjakut në Samadrexhë.
Haxhiu ka kërkuar gjithashtu që personat e përfshirë në sulmin e Banjskës, të cilët ndodhen në Serbi, të përballen me drejtësinë.
