Tërmet i fuqishëm në Turqi, 14-vjeçarja humb jetën nga paniku, dhjetëra të plagosur
Një tërmet i fuqishëm ka goditur Greqinë dhe është ndjerë fuqishëm edhe në Turqi rreth orës 2 të mesnatës, duke i zënë banorët në gjumë.
Ndërsa Greqia nuk ka raportuar për lëndime në njerëz, bilanci në Turqi është tragjik.
Sipas raportimeve të mediave turke, përfshirë ‘Sabah’, një vajzë 14-vjeçare me emrin Afranur Günlü ka humbur jetën si pasojë e një sulmi paniku të shkaktuar nga tërmeti. Përveç kësaj, 69 persona kanë mbetur të plagosur në Turqi, shumica prej tyre pasi janë hedhur nga lartësia nën efektin e frikës së shkaktuar nga lëkundjet e forta.
Lëkundjet sizmike kanë qenë të konsiderueshme, duke arritur në magnitudën 5.8 të shkallës Rihter. Ato janë ndjerë kryesisht në zonat e Muglas, Izmirit, Antalias, Aydınit, Denizlit dhe Manisas në Turqi.
Ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya, ka konfirmuar tragjedinë dhe numrin e të plagosurve në një deklaratë zyrtare. “Gjatë tërmetit në Fethiye, vajza jonë 14-vjeçare Afranur Günlü u dërgua në spital për shkak të një ataku paniku, por për fat të keq humbi jetën pavarësisht të gjitha ndërhyrjeve. Në Muğla dhe rrethet e saj, 14 nga 69 qytetarët tanë që u hodhën nga lartësitë për shkak të panikut u trajtuan në spital. U uroj shëndet qytetarëve tanë të prekur nga tërmeti. Zoti e ruajt vendin dhe kombin tonë nga fatkeqësitë”, ka thënë Ministri Yerlikaya.
Autoritetet në Turqi po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe po ofrojnë ndihmë për të prekurit nga tërmeti.