Tentativë për futje droge në Qendrën Korrektuese të Dubravës, sekuestrohen rreth 2 gramë marihuanë
Varësia nga droga vazhdon të jetë një problem shqetësues në Kosovë, duke prekur edhe institucionet korrektuese.
Kërkesa për konsumim të narkotikëve brenda burgjeve po shtyn persona të ndryshëm të tentojnë futjen e tyre me forma të ndryshme, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë u zbulua së fundmi në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku oficerët korrektues kanë parandaluar një tentim për futje të lëndëve narkotike në hapësirat e brendshme të burgut.
Burime të sigurta të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 16 qershor 2025, rreth orës 09:30, oficerët korrektues gjatë një kontrolli rutinë në hapësirën mes Pavijonit 3 dhe 4, kanë hasur në një qese të dyshimtë, e cila ishte fshehur në zonën ndërmjet dy blloqeve.
Në qese janë gjetur 5 paketime letre që përmbanin një substancë të dyshuar si marihuanë. Pas peshimit, kjo substancë ka rezultuar të ketë një peshë totale bruto rreth 2 gramë.
Ndonëse ende nuk është identifikuar ndonjë i dyshuar, njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve (DHTN) – Pejë ka bërë pranimin dhe dorëzimin e provave materiale. Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka urdhëruar iniciimin e rastit si “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Ky rast thekson sfidën e vazhdueshme me të cilën përballen institucionet korrektuese në parandalimin e futjes së lëndëve narkotike dhe nevojën për masa më të rrepta sigurie.