Suhareka gati për Vetëvendosjen lokale: Hamdi Bytyqi, alternativa e re për kryetar komune
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka konfirmuar zyrtarisht nominimin e Hamdi Bytyqit si kandidatin e saj për kryetar të Komunës së Suharekës, duke e shpallur atë si “alternativën më të mirë për qytetarët”.
Ky njoftim vjen pas një takimi të rëndësishëm në Suharekë, ku morën pjesë figura kyçe të Lëvizjes, përfshirë Kryeministrin Albin Kurti, Sekretarin Organizativ Alim Rama, koordinatorin e qendrave dhe deputetin Fitore Zyba, Kryetarin e Qendrës në Therandë Jetmir Durmishi, si dhe Sekretarin për media të LV-së, Arlind Manxhuka.
Në njoftimin e tyre, Lëvizja VETËVENDOSJE! thekson se Suhareka është tashmë “gati për të vetëvendosur edhe në nivelin lokal!” dhe se fryma e investimeve të Qeverisë qendrore do të vazhdojë edhe në nivelin komunal. “Garancë për këtë është alternativa qeverisëse lokale e Lëvizjes VETËVENDOSJE! që ka në qendër qytetarin dhe komunitetin,” thuhet në njoftim.
Theksohet gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj lokale, duke e cilësuar këtë si “binomin e nevojshëm për të shtyrë përpara projektet aq shumë të nevojshme për të mirën e qytetarëve në Suharekë e kudo në Kosovë.”
Lëvizja VETËVENDOSJE! u bën thirrje të gjithë aktivistëve dhe qytetarëve të Suharekës të angazhohen “çdo ditë, gjithandej lagjeve e fshatrave të Therandës për fitoren e madhe.”
Njoftimi përmbyllet me urime për të gjithë qytetarët e Suharekës dhe aktivistët e Lëvizjes, me shpresën “Na priftë e mbara!”