Sot seanca e pestë për kryesinë e Kuvendit, LVV e palëkundur për kandidaten

23.04.2025

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen sot në sallën plenare në një tjetër përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e institucionit ligjëvënës.

Në seancën e fundit të mbajtur të shtunën, deputetët e rinj u betuan dhe u votua raporti për verifikimin e mandateve. Gjatë seancës së së hënës, deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, rikonfirmoi se Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e partisë së tij për postin e kryetares së Kuvendit. Pavarësisht kësaj, Konjufca pranoi se duke marrë parasysh qëndrimet e subjekteve të tjera politike, bllokada aktuale në zgjedhjen e kryesisë së Kuvendit nuk mund të tejkalohet pa një marrëveshje politike mes partive. Pritet me interes të shihet nëse seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim të ri dhe nëse partitë politike do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të zhbllokuar situatën.

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bërë të ditur se nuk e ndryshojnë kandidaturën e tyre për kryetare të kuvendit.

Në këtë kontekst politik të rëndësishëm, Suhareka ka tre përfaqësues në Kuvendin e Kosovës: Salih Zyba dhe Albena Reshitaj, të zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si dhe Enver Hoxhaj nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).