Sot në Strasburg takohen zëvendësministrat e jashtëm, pritet të përgatisin agjendën e 16 dhe 17 majit

07.05.2024

Sot në Strasburg pritet të takohen zëvendësministrat e jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Sipas njoftimit në faqen e Këshillit të Evropës, zëvendësministrat do ta përgatisin agjendën për takimin e Komitetit të Ministrave që mbahet më 16-17 maj po ashtu në Strasburg.

Sot në Strasburg takohen zëvendësministrat e jashtëm, pritet të përgatisin agjendën e 16 dhe 17 majit Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin.

Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria.

Ende nuk dihet nëse çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasburg më 16 maj.

Kosovës i janë kërkuar hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për hapa në këtë këtë drejtim kanë qenë të njëpasnjëshme gjatë ditëve të fundit. Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duket se po shndërrohet tani në një lloj kushti për për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Madje, kur kanë mbetur 10 ditë nga kur pritet të mblidhet Komiteti i Ministrave, në Këshillin e Evropës, Qeverisë së Kosovës i është bërë të qartë rëndësia e hapave konkret drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nga autoritetet e Kosovës, në kuadër të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Këtë kërkesë e kanë pasur kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emanuel Macron gjatë bisedave që kishin me kryeministrin Kurti.

Të njëjtën kërkesë ia bëri Kurtit edhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar Kosovës që të bëjë “përparim urgjent” sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Si ide ka qarkulluar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

Për këtë Osmani është pyetur gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”. Por, ajo ka thënë se ligjërisht nuk mund ta bëjë këtë pa një akt të Qeverisë.

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova nuk kundërshton zbatimin e detyrimeve të veta, por kërkon një marrëveshje të detyrueshme si për Kosovën dhe Serbinë.

Ajo tha se Kosova do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për statutin e Asociacionit pasi të jetë arritur më parë një marrëveshje se si do të zbatohen aktet që dalin nga Marrëveshja e nënshkruar në Ohër nga Kosova dhe Serbia vitin e kaluar.

“Kosova ka treguar vazhdimisht vullnet që të zbatojë marrëveshjen e arritur në Bruksel në shkurt të vitit të kaluar dhe aneksin e marsit të vitit të kaluar në tërësi dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. Por si në çdo marrëveshje tjetër, zbatimi ka planin e implementimit, apo planin e sekuencimit, i cili ende është duke u negociuar në Bruksel dhe parasheh që të dyja palët, në mënyrë paralele, të zbatojnë marrëveshjen, apo pjesët e veta të marrëveshjes”, tha presidentja Osmani.

Edhe i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar për Asociacionin.

“Nëse nuk ka përparim sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçak.

Lajçak theksoi se Kosova dhe Serbia i dinë obligimet e tyre që janë përgjatë rrugës për integrim evropian.

“Për Serbinë është raporti vjetor i Komisionit Evropian që tregon saktësisht se çfarë duhet bërë. Për Kosovën është Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Përveç kësaj, në përputhje me vendimet e Këshillit të BE-së, normalizimi i marrëdhënieve është një parakusht për përparimin në rrugën europiane, BE ka thënë qartë se nuk mund të importojë probleme të pazgjidhura dypalëshe”, tha Lajçak.

Pas marrjes së dritës së gjelbër në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, më 16 prill, vendimin përfundimtar për Kosovën pritet ta sjellë Komiteti i Ministrave i kësaj organizate, më 16 maj.

Deri atëherë, Kosova duhet të vazhdojë t’i bindë së paku dy të tretat e 46 anëtarëve të saj përse duhet të jetë në mesin e tyre.

Dhe hapa pozitivë në këtë drejtim duket se janë pikërisht ata që çojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.