Shtyhet sërish seanca për Presidentin, vazhdon në ora 19:00
Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është shtyrë përsëri dhe pritet të vazhdojë në ora 19:00, për shkak të mungesës së deputetëve të opozitës.
Foto: Ilustrim
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se shtyrja është bërë në përpjekje për të siguruar pjesëmarrjen e opozitës në këtë proces të rëndësishëm institucional.
Ajo theksoi se po vazhdojnë angazhimet që deputetët opozitarë të jenë të pranishëm në seancë.
Ndërkohë, sipas Haxhiut, deputetët e opozitës po u bëjnë thirrje dy kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, që të tërhiqen nga gara.
Ajo shtoi se mungesa e deputetëve bie ndesh me përgjegjësitë kushtetuese që ata kanë, duke iu referuar edhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo seancë është vazhdim i përpjekjeve për zgjedhjen e Presidentit, pasi gjatë ditës ajo ishte shtyrë fillimisht nga ora 10:00 në 14:00, ndërsa opozita ka munguar vazhdimisht në sallë.
