SHSASHJ: “Gjendje alarmante në MPJD”

17.05.2024

Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) publikisht ka shprehur shqetësimin e vet lidhur me veprimet brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të cilat, sipas SHSASHJ-së, sistematikisht bien ndesh me parimet e kushtetutshmërisë, ligjshmërisë dhe mos-diskriminimit të anëtarëve të shërbimit të jashtëm.

SHSASHJ: “Gjendje alarmante në MPJD” Foto: Ilustrim

“SHSASHJ sërish njofton publikun për shkeljet e legjislacionit në fuqi — kushtetutës, ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore nga udhëheqësit kryesorë të MPJD-së: Ministrja, Zëvendësministrja dhe Zëvendësuesi i sapoemëruar i Sekretarit të Përgjithshëm (tashmë i emëruar Sekretar i Përgjithshëm me konkursin e hapur enkas për të).

Në përpjekje për t’i shmangur pasojat ligjore, para pak javësh Ministrja e zhvendosi z. Behar Isma nga pozita e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm – të cilën pozitë e mbajti si zëvendësues mbi dy vjet – në pozitën e Zëvendësuesit të Drejtorit të Departamentit Ligjor ne MPJD. SHSASHJ ka kërkuar opinion nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK). Ndërkohë, z. Ilir Mugaj u instalua ne pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm, zyrtar i sapo-transferuar në MPJD nga pozita e Udhëheqësit të Divizionit (një nivel me ultë se pozita e Drejtorit të Departamentit) nga Zyra e Kryeministrit ku mbajti pozitën “Shef i Divizionit për Energji, Mjedis dhe Transport”. Edhe paraardhësi z. Behar Isma ishte Shef i Divizionit në ish-Ministrinë e Diasporës para se të emërohej në pozitën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm ne MPJD.

Z. Mugaj, në aktivitetin e vet të parë zyrtar në pozitën e re e vërtetoi se nuk e ka problem mosrespektimin e legjislacionit. Vetëm pak ditë pas marrjes së detyrës si Zëvendësues i Sekretarit të Përgjithshëm, formoi një komision për t’i graduar në mënyrë të paligjshme madje me disa grada përnjëherë paraardhësin e tij z. Behar Isma dhe Drejtorin e Departamentit të Financave z. Mizbah Mustafa. I gjithë procesi u zhvillua nen masa të rrepta fshehtësie, duke i mohuar mundësitë e barabarta zyrtarëve të MPJD-së, pra duke mos iu dhënë mundësia e shprehjes së interesimit për gradim. Komisioni për grada dhe disiplinë kërkohet që të mblidhet dy herë në vit, por nuk është thirrur për vite të tëra. Një numër i konsiderueshëm i diplomatëve janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre në misione me grada të njëjta, disa janë pranë pensionimit, e disa të tjerëve nuk iu është dhënë asnjëherë mundësia për të shërbyer jashtë vendit në mungese të gradave” thuhet në njoftim.