Raporti i Auditorit për Suharekën: Opinion i kualifikuar, mbi 3 milionë euro keqklasifikim dhe shpenzime kapitale pa miratim të Kuvendit
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin financiar për Komunën e Suharekës për vitin 2025, duke nxjerrë një “Opinion të Kualifikuar” si pasojë e një varg shkeljesh në menaxhimin financiar, prokurim publik dhe menaxhim të pronave.
Foto: Ilustrim
Sipas raportit të nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, komuna ka shpenzuar 97% të buxhetit final prej 24.7 milionë eurosh, por procesi është përcjellë me parregullsi të ndjeshme.
Gjetja kryesore që ka ndikuar në opinionin e modifikuar lidhet me ekzekutimin e 3,082,897 eurove përmes vendimeve gjyqësore dhe përmbarimore për kontratat kolektive (paga jubilare dhe shujta).
Këto mjete, të cilat nuk ishin planifikuar në buxhet, u morën nga kategoritë joadekuate ekonomike, ku dëmin më të madh e pësuan investimet kapitale, nga të cilat u tërhoqën mbi 2.1 milionë euro.
Ky keqklasifikim, sipas auditorit, ka ndikuar në raportimin jo të drejtë të pasqyrave financiare.Një tjetër shkelje e rëndë e evidentuar është ndryshimi i shumave buxhetore për projektet kapitale pa miratimin e Kuvendit Komunal. Në 11 pagesa me vlerë totale prej 457,039 eurosh, fondet u bartën nga një projekt në tjetrin vetëm me aktvendime të Kryetarit të Komunës, duke anashkaluar komplet organin më të lartë vendimmarrës lokal.
Auditori ka gjetur dobësi edhe në procedurat e prokurimit publik. Në tri kontrata me vlerë afër 1 milion euro (saktësisht 938,140 €), menaxherët e projekteve nuk e kanë bërë vlerësimin e performancës së operatorëve në platformën e-prokurimi.
Po ashtu, në dy tenderë të mëdhenj—për ndërtimin e impiantit të ujërave të zeza në Dubravë (190,000 €) dhe rikonstruksionin e kanalizimeve (400,000 €)—afati i vlefshmërisë së tenderit u caktua në kundërshtim me rregulloren, duke u shkurtuar në 30 ditë në vend të 60 sa kërkohej.
Sa i përket tatimit në pronë, Komuna e Suharekës ka dështuar të përmbushë kuotën ligjore për inspektimin e 20% të objekteve brenda territorit. Nga mbi 17 mijë prona, u verifikuan vetëm 490 prej tyre, apo thënë në përqindje vetëm 2.75%.
Kjo, sipas zyrtarëve komunalë, erdhi si pasojë e problemeve me sistemin e tatimit dhe mungesës së stafit. Për më tepër, u vërejtën vonesa të theksuara në pagesën e faturave ndaj furnitorëve, ku gjashtë obligime në vlerë mbi 119 mijë euro u paguan me vonesa që shkonin deri në 258 ditë jashtë afatit ligjor.Raporti i sivjetmë ka prodhuar gjithsej 13 rekomandime për përmirësim.
Shqetësues mbetet fakti që shtatë rekomandime nga viti i kaluar nuk kanë filluar të zbatohen fare nga menaxhmenti komunal.
Pavarësisht këtyre gjetjeve, Kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, përmes një letre konfirmimi të dërguar tek ZKA, ka deklaruar se pajtohet plotësisht me gjetjet dhe ka premtuar dorëzimin e një plani të veprimit brenda 30 ditëve për zbatimin e rekomandimeve të dhëna.
