Qytetarët fillojnë të ankohen në ZRRE për faturat e larta të rrymës – cilat janë procedurat?
Pakënaqësitë lidhur me faturat e larta të rrymës për këtë muaj, qytetarët kanë filluar t’i adresojnë tek Zyra e Rregullatorit për Energji. Deri tash, tek ky institucion janë dorëzuar 12 ankesa. Për këtë çështje, është deklaruar sot edhe kryeministri Albin Kurti. Fatura e energjisë elektrike për këtë muaj, i ka zënë në befasi shumë qytetarë. […]
Pakënaqësitë lidhur me faturat e larta të rrymës për këtë muaj, qytetarët kanë filluar t’i adresojnë tek Zyra e Rregullatorit për Energji. Deri tash, tek ky institucion janë dorëzuar 12 ankesa. Për këtë çështje, është deklaruar sot edhe kryeministri Albin Kurti.
Fatura e energjisë elektrike për këtë muaj, i ka zënë në befasi shumë qytetarë. Shumë prej tyre, janë ankuar se fatura e fundit ka qenë shumë më e lartë se e muajit paraprak, ndonëse kanë thënë se kanë shpenzuar njejtë.
E përderisa dje, paknaqësitë i shprehnin vetëm në rrjete sociale, sot kanë filluar t’i adresojnë nëpër institucione.
Nga Zyra e Rregullatorit për Energji i kanë thënë Gazetës Express se deri tash kanë pranuar 12 ankesa, të cilat i janë referuar KESCO’s.
“Në përputhje me Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e Energjisë, të gjithë konsumatorët të cilët kanë ankesa në lidhje me shërbimet e ofruara nga furnizuesi apo operatorët e sistemit fillimisht duhet t’i paraqesin këto ankesa te furnizuesi përpara se të kërkojnë shqyrtim nga Rregullatori. Për sa i përket ankesave per faturat e fundit, ju informojmë se deri me sot janë pranuar 12 ankesa te konsumatorëve, te cilat janë referuar tek Furnizuesi”, kanë deklaruar nga ZRRE.
Nga ky institucion kanë sqaruar edhe se cilat janë procedurat tash, ku fillimisht thonë se konsumatorët duhet ta marrin përgjigjen nga KESCO e pastaj të drejtohen në ZRRE.
“Çdo furnizues apo operator i sistemit është i detyruar t’u përgjigjet të gjitha ankesave të konsumatorëve, në mënyrë efikase dhe të drejtë. Pas pranimit të përgjigjes nga Furnizuesi, Konsumatorët mund të parashtrojnë ankesë në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Rregullatorit. ZRRE-ja do të shqyrtoj çdo ankesë të pranuar në përputhje me dispozitat që parashihen në Procedurën për zgjidhjen e ankesave në sektorin e energjisë. “, thuhet në përgjigje.
Sa i përket faturave të këtij muaji, nga ky institucion kanë deklaruar dje se në te gjitha faturat e energjisë elektrike janë duke u aplikuar çmimet e vendosura me vendimin e ZRRE’së, të 30 marsit, derisa kanë bërë thirrje për kursim.
“Çmimet e energjisë elektrike janë duke u aplikuar në te gjitha faturat e energjisë elektrike për energjinë e konsumuar sipas çmimeve te vendosura me datë 30 mars 2023 përmes vendimit V_1713_2023 nga Zyra e Rregullatorit për Energji. ZRRE-ja, fton të gjithë konsumatorët që të kursejnë energjinë elektrike, pasi që është e vetmja mënyrë që të mos aplikohet blloku tarifor mbi 800kËh”.
Për faturat e larta të rrymës ka folur sot edhe Kryeministri Albin Kurti. Ai tha se nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike në Kosovë, derisa për çdo ankesë të qytetarëve, Kurti deklaroi se adresat e vetme janë KESCO dhe ZRrE.
“Nëse ka fatura të fryra, KESCO dhe ZRRE janë adresa të cilat duhet t’i adresojnë me seriozitet edhe me shpejtësi të gjitha ankesat, mirëpo nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike. Kur ka konsum më të lartë natyrisht se ka edhe faturë më të lartë. Shtrenjtim të energjisë elektrike nuk ka”.
“Ne i kemi subvencionuar, kemi ndihmuar edhe sa i përket pajisjeve efiçente për amvisëri edhe për bizneset në vazhdimësi po përpiqemi maksimalisht me ministren Ekonomisë, Artane Rizvanolli që të kenë furnizim të qëndrueshëm edhe çmime të përballueshme, por shtrenjtim të energjisë nuk ka”, deklaroi Kurti.
Se faturat janë më të larta këtë muaj, e kanë pranuar edhe nga KESCO. Nga KESCO kanë thënë se rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje.
Në reagimin e ZRRE’së u theksuar edhe se konsumimi i energjisë elektrike në vlerë më shumë se 800 kËh në muaj faturohet me tarifë më të lartë.
“KESCO njofton konsumatorët dhe opinionin publik që nuk ka pasur rritje të tarifave fundore. Tarifat e energjisë elektrike janë rishikuar dhe rritur afërsisht 15% krahasuar me tarifat 2022-2023, me vendim të ZRrE-së, më 1 prill 2023. Rritja e vlerës se faturave në ketë muaj dimri është rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht te konsumatorët që e përdorin energjinë elektrikë për ngrohje. Shih Vendimin e ZRrE-së”, thuhet në reagim.
Tjetër arsye thonë se është edhe që vitin e kaluar, Qeveria ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer.
“ZRRE ka ndërtuar një strukturë tarifore të ndarë në blloqe shpenzuese. Kështu, nëse ju si konsumator familjar konsumoni deri në 800 kËh, atëherë i nënshtroheni vetëm dy blloqeve, ditën dhe natën, të cilat në dimër fillojnë nga ora 22:00 deri në orën 7:00. Gjatë ditës çmimi është 7.79 cent për kËh, ndërsa natën rreth 57 për qind më i lirë, pasi llogaritet me 3.34 cent për kËh. Megjithatë, çmimet ndryshojnë për konsum mbi 800 kËh. Nëse një konsumator konsumon 1600 kËh, atëherë pjesa deri në 800 kËh llogaritet me çmimet e lartpërmendura. Ndërsa pjesa e mësipërme llogaritet me 2 tarifa të tjera: ajo e larta gjatë ditës që shkon në 14.45 cent për kËh ose 85.5 për qind më shtrenjtë, dhe ajo e natës 6.81 cent për kËh ose gati 104 për qind më e shtrenjtë se shpenzimi nën 800 kËh”, thuhet tutje në njoftim.
Me reagim për këtë çështje ka dalë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Nga KMDLNJ i kanë quajtur si “jonormale” faturat e këtij muaji, derisa i kanë kërkuar Prokurorisë së Shtetit që të nis hetime urgjentisht.
“Faturat për rrymë të muajit dhjetor për shumicën e qytetarëve dallojnë shumë nga ato të muajit të kaluar, janë 100 % e më shumë më të larta. Në ndërkohë askush nuk ka njoftuar për rritje eventuale të çmimit të energjisë elektrike sikur që edhe temperaturat nuk kanë qenë të larta për të shpenzuar energji shtesë. Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregulltë me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, thuhet në reagim.