QUINT: Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensione

14.05.2024

Shtetet e QUINT-it kanë reaguar pasi Kosova nuk ia ka lejuar hyrjen në territorin e Republikës së Kosovës, Patriarkut Porfirie të Kishës Ortodokse Serbe.

QUINT: Kosova e Serbia të përmbahen nga veprimet që mund të rrisin tensione Foto: Ilustrim

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar hyrjen në Kosovë të Patriarkut Porfirie të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopët e tij shoqërues për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të Kuvendit të rregullt vjetor të Sinodit në Patriarkanën e Pejës.

Sipas QUINT-it vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit, i cili përcakton qartë të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës në dialogun e BE-së.

“Ne presim që Qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe në veprimet e saj, të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbajë vlerat dhe përgjegjësinë e saj thelbësore ndaj stabilitetit rajonal”, thuhet në reagimin tyre.

Tutje nga QUINT-i thonë se vazhdojnë t’u bëjnë thirrje të dyja palëve që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.

https://pristina.diplo.de/xk-de/-/2656918