Prindërit e ish-policit Arbnor Spahiu reagojnë: Akuzat e Serbisë të padrejta dhe të pabazuara, kërkojnë ndihmë ndërkombëtare
Prindërit e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili u arrestua nga autoritetet serbe disa ditë më parë, kanë lëshuar një deklaratë publike duke denoncuar arrestimin e djalit të tyre, të cilin e konsiderojnë si “të padrejtë dhe të pabazë”.
Ata theksojnë se Spahiu aktualisht ndodhet në paraburgim në Serbi.
Në deklaratën e tyre, prindërit sqarojnë se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022 dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt.
“Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme”, thuhet në deklaratë.
Prindërit e Spahiut e konsiderojnë ndalimin e djalit të tyre si “një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore”. Ata insistojnë se Arbnori është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.
Në fund të reagimit të tyre, prindërit kanë apeluar tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinioni publik që “të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie”.