Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Hungari

para 33 dite

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për një vizitë zyrtare në Hungari, me ftesë të Presidentit hungarez, Tamás Sulyok.

Presidentja Osmani në vizitë zyrtare në Hungari

Kjo vizitë synon thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Sipas njoftimit nga Presidenca, vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare me nderime ushtarake, të organizuar në sheshin Kossuth Lajos në Budapest. Pas saj, dy presidentët do të zhvillojnë një takim “tête-à-tête” (kokë-më-kokë), i cili do të pasohet nga një takim më i gjerë ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Sulyok do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial Sándor.

Gjatë qëndrimit në Hungari, Presidentja Osmani do të pritet gjithashtu nga László Kövér, kryetar i Parlamentit të Hungarisë, për të diskutuar çështje me interes të përbashkët parlamentar.

Një pjesë e rëndësishme e agjendës së Presidentes Osmani është edhe ligjërata dhe diskutimi që do të mbajë në Universitetin Eötvös Loránd. Ajo do t’u drejtohet studentëve dhe profesorëve me temën “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”. Gjatë kësaj ligjërate, Presidentja Osmani do të shpalosë prioritetet strategjike të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë thellimin e integrimit euroatlantik.

Etiketat

Ofertat e fundit