“Presidenti ende pa emër”, sot pritet seancë – afati kushtetues drejt fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet të mbahet seancë për zgjedhjen e presidentit, ndonëse situata politike mbetet e paqartë dhe pa një kandidat të dakorduar.
Foto: Ilustrim
Ajo u shpreh shkurt se “beson” që seanca do të mbahet sot, ndërsa nga opozita thonë se nuk kanë asnjë informacion të konfirmuar për një zhvillim të tillë pas seancës plenare. Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, theksoi se mungon transparenca për këtë proces.
Në anën tjetër, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, deklaroi se ende nuk ka një emër konsensual për president dhe nuk ekzistojnë nënshkrime për ndonjë kandidat, duke e cilësuar situatën si të paqartë.
Ndërkohë, afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për një kandidat që do të siguronte të paktën 80 vota në Kuvend. Lëvizja Vetëvendosje u ka ofruar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tri kandidatura, por kjo ofertë është refuzuar nga PDK, ndërsa LDK ka përmendur si opsion ish-presidenten Vjosa Osmani, e cila sapo ka përfunduar mandatin e saj pesëvjeçar.
