Pesë raste të reja me fruth në Kosovë brenda javës, numri i të infektuarve arrin në 25
Pesë raste të reja me fruth janë konfirmuar gjatë javës së fundit në Kosovë, duke e çuar në 25 numrin e përgjithshëm të të prekurve që nga 16 prilli deri më 1 qershor 2026.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), rastet janë raportuar në disa komuna të vendit. Prishtina dhe Ferizaj kryesojnë me nga gjashtë raste secila, pasuar nga Kaçaniku me pesë raste.
Nga një rast është regjistruar në Deçan, Fushë Kosovë, Gjilan, Lipjan, Obiliq dhe Shtime.IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të shfaqjes së simptomave si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë apo rrufë, të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.
Po ashtu, Instituti ka apeluar te prindërit dhe kujdestarët që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë imunizimin e tyre sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.Sipas IKShPK-së, vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e personave të pavaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik.
