Përplasje politike mes asambleistëve në Suharekë për seancën konstituive të Kuvendit

07.08.2026

Asambleisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Suharekës, Urim Suka, ka reaguar ashpër lidhur me caktimin e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për ditën e nesërme, duke e cilësuar këtë vendim si “shkelje të qëllimshme dhe të panevojshme të rendit kushtetues”.

Suka ka deklaruar se ambicia për të pasur gjithë pushtetin mund të kuptohet si ambicie politike, por, sipas tij, shkelja e rendit kushtetues paraqet “lojë të rrezikshme politike”.

“Pangopësia për ta pasur gjithë pushtetin për vete mund të kuptohet si ambicie politike, por shkelja e rendit kushtetues është lojë e rrezikshme politike dhe alarm për çdo qytetar të Republikës”, ka shkruar Suka.

Ai ka përmendur edhe sakrificën e brezave për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, duke thënë se askush nuk duhet të rrezikojë rendin kushtetues dhe sakrificën e gjeneratave që kontribuuan në ndërtimin e shtetit.

Sipas tij, kanë mbetur vetëm pak orë për korrigjimin e vendimit dhe rikthimin e, siç shprehet ai, “ligjshmërisë në funksionimin normal e demokratik të institucioneve”.

“Kjo lojë politike është e rrezikshme, e papërgjegjshme dhe si e tillë duhet të ndalet. Republika jonë është fituar me shumë flijime dhe duhet të mbrohet nga të gjithë. Rendi kushtetues është i paprekshëm”, ka deklaruar Suka.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, Liridon Fandaj, i cili e ka kritikuar Sukën për përfshirje në tema të politikës qendrore.

Fandaj ka ironizuar me rolin politik të Sukës, duke thënë se kur dikush nuk arrin të jetë faktor brenda degës së tij në Therandë, është më e lehtë të merret me analizimin e zhvillimeve në nivel qendror.

“Kur nuk arrin të jesh faktor as brenda degës tënde në Therandë, është më e lehtë të bëhesh analist i politikës qendrore”, ka shkruar Fandaj.

Ai ka thënë se qytetarët presin angazhim për problemet lokale që i prekin çdo ditë, ndërsa ka kritikuar postimet që, sipas tij, bëhen për tema kombëtare për të tërhequr vëmendje.

“Qytetarët presin zë dhe angazhim për problemet që i prekin çdo ditë, jo postime dramatike për tema kombëtare sa herë që duhet të fitohet pak vëmendje”, është shprehur Fandaj.

Në fund, asambleisti i LVV-së i ka bërë thirrje Sukës që fillimisht të fitojë besimin në nivelin ku vepron, para se të marrë, siç e quan ai, “rolin e arbitrit të politikës në nivel shtetëror”.

“Fillimisht fito besimin aty ku vepron e pastaj merr rolin e arbitrit të politikës në nivel shtetëror”, ka shkruar Fandaj.

Përplasja verbale mes dy asambleistëve të Kuvendit Komunal të Suharekës vjen në kohën kur situata rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime dhe debate të shumta politike.