PDK i kërkon Deharit ta thërrasë seancën konstituive për nesër
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, që të thërrasë nesër, më 12 gusht, vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
PDK ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, por sipas kësaj partie, tejkalimi i afatit nuk e heq detyrimin për përfundimin e procesit konstituiv.
Në kërkesën e saj, PDK ka bërë thirrje që seanca të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët.
PDK ka njoftuar gjithashtu se, pavarësisht nëse Dehari e thërret apo jo zyrtarisht seancën, deputetët e saj do të jenë nesër në orën 11:00 në sallën e Kuvendit.
Partia ka ftuar edhe grupet e tjera parlamentare dhe deputetët e zgjedhur që t’i bashkohen kësaj nisme dhe të jenë të pranishëm në Kuvend, duke e cilësuar pjesëmarrjen si dëshmi të vullnetit për përfundimin e procesit të konstituimit të institucioneve.

