Pas 28 vitesh, Prokuroria Speciale paralajmëron aktakuzë për masakrën e familjes Jashari
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare të hetimeve për sulmin ndaj familjes Jashari në mars të vitit 1998 dhe se së shpejti pritet ngritja e aktakuzës ndaj personave përgjegjës.
Sipas Prokurorisë, rasti po trajtohet me prioritet të lartë dhe finalizimi i tij me aktakuzë pritet të ndodhë në një afat të afërt. Në sulmin e forcave serbe në Prekaz u vranë 55 persona, përfshirë 22 anëtarë të ngushtë të familjes së komandantit legjendar Adem Jashari.
Avokati Visar Rrecaj vlerësoi se ngritja e kësaj aktakuze ka rëndësi të veçantë juridike, shtetërore dhe kombëtare, duke theksuar se dokumenti duhet të jetë i plotë dhe i argumentuar në detaje për të siguruar një epilog të drejtë për një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Ndërkaq, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e ka mirëpritur zhvillimin, por ka vlerësuar se drejtësia është vonuar për këtë rast. Kryetari i organizatës, Hysni Gucati, tha se hetimi dhe ndëshkimi i përgjegjësve për masakrën në Prekaz është i domosdoshëm për vendosjen e drejtësisë.
Hetimet për krimet e luftës në Kosovë fillimisht janë zhvilluar nga UNMIK-u dhe më pas nga EULEX-i, ndërsa që nga viti 2018 kompetencat për këto raste janë bartur te Prokuroria Speciale e Kosovës.
