Një përleshje ka ndodhur mes dy punëtorëve të Telekomit në Prishtinë
Një përleshje mes dy personave, saktësisht dy punëtorëve të Telekomit të Kosovës, ka ndodhur sot jashtë objekteve të kompanisë.
Policia e Kosovës ka nisur menjëherë një hetim lidhur me këtë incident.
Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net edhe Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim në Telekom, Fadil Lepaja.
“Sipas informacionit që posedojmë, ka ndodhur një përleshje jashtë objekteve të Telekomit. Policia e Kosovës ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka hapur rast për veprën penale të kategorizuar si ‘Sulm’,” tha Lepaja.
Ai theksoi se arsyeja e saktë e incidentit ende nuk dihet. Telekomi po vlerëson situatën për të parë nëse janë të nevojshme masa shtesë brenda kompanisë.
“Vetëm pas sqarimit të plotë të situatës dhe rrethanave, kompania mund të vlerësojë nëse është e nevojshme të merren masa shtesë edhe brenda kompanisë, në harmoni me obligimet ligjore dhe rregulloret e brendshme,” shtoi Lepaja.
Raste të tilla të përleshjeve apo sulmeve mes zyrtarëve dhe punëtorëve në Kosovë nuk janë të rralla, por shpesh masat ndaj tyre janë të pakta. Ky incident ngre pyetje mbi ambientin e punës dhe nevojën për zbatimin e rregulloreve të brendshme në raste të tilla.