Minatorët kërkojnë ekzekutimin e pagave deri nesër

31.07.2024

Minatorët e Trepçës janë takuar sot me sindikatën për të diskutuar rreth mosekzekutimit të pagave për dy muaj rresht.

Minatorët kërkojnë ekzekutimin e pagave deri nesër

Ata kanë kërkuar takim urgjent me bordin, por këta të fundit kanë pranuar që një takim të tillë ta mbajnë vetëm nesër. Greva e minatorëve tashmë ka hyrë në ditën e 22-të. Minatorët kanë deklaruar se do ta vazhdojnë atë deri në ekzekutimin e pagave.

E kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça” në Mitrovicë, Bashkim Kurti, i cili mori pjesë në takim deklaroi se është takuar me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar një zgjidhje afatgjate, derisa ka thënë se minatorët e kanë obligim ta vazhdojnë punën pavarësisht sfidave.

“Besoj se e kanë marrë seriozisht këtë çështje. Duhet angazhimi i dy palëve për një zgjidhje. Obligimi juaj është ta vazhdoni punën pavarësisht sfidave. Secili nganjëherë kemi telashe, por duhet të gjejmë një mes të ecim tutje. Sot është dita 22 e grevës, sikur të ishte punuar pagat do t’i kishim ekzekutuar”, tha ai. Sa i përket kërkesës për ekzekutim të pagave ai tha se nuk mund t’ju japë datë minatorëve.

Brahim Januzaj, kryetar i sindikatës i tha kryeshefit Kurti që nuk ka bërë mjaftueshëm, derisa tha se vetëm deri nesër në ora 9 presin përgjigje, në të kundërtën do të ndërmarrin veprime tjera.

“Jemi për me u zgjidh kjo çështje, jemi të vetëdijshëm për situatën, por duam pagat. Nuk kemi kërkuar as dorëza as pajisje. Duhet të gjithë aktorët të bëhen bashkë e të gjejnë zgjidhje”, tha ai.

Minatorët janë shpërndarë të qetë dhe presin që nesër në orën 9:00, të marrin lajm për vendim rreth ekzekutimit të pagave, ndërsa kryeshefi Bashkim Kurti u ka premtuar se gjatë ditës do të takohet me bordin e kësaj ndërmarrje.

Etiketat

Ofertat e fundit