Mbetjet kockore të së paku 23 individëve gjenden gjatë gërmimeve në Zubin Potok
Në kuadër të veprimeve të gërmimit dhe ekshumimit në rastin në Zubin Potok, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë identifikuar mbetje kockore, të cilat sipas vlerësimit preliminar dyshohet se u përkasin së paku 23 individëve.
Gjetja është konfirmuar të mërkurën gjatë punës në lokacionet e dyshuara, në një operacion të përbashkët të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Institucionet kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i mbetjeve do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse.
Ndërkohë, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe në koordinim me institucionet kompetente, do të vazhdojnë hetimet dhe veprimet procedurale lidhur me rastin.
Për këtë rast janë duke u hetuar tre persona, J.R., M.J. dhe M.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Të tre ndodhen në paraburgim.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore kanë deklaruar se janë të përkushtuara që procesi të zhvillohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të dokumentuar, duke respektuar dinjitetin e viktimave dhe familjeve të personave të zhdukur.
