LDK mban sot Kuvendin e jashtëzakonshëm, 355 delegatë vendosin për të ardhmen e partisë
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot, duke filluar nga ora 18:00, Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku 355 delegatë do të votojnë për besimin ndaj kryetarit aktual dhe të ardhmen e udhëheqjes së partisë.
Kuvendi është thirrur pas kërkesës së më shumë se një të tretës së delegatëve, në përputhje me Statutin e LDK-së. Një ditë para mbledhjes, partia reagoi ndaj raportimeve për presione dhe kërcënime ndaj delegatëve, duke paralajmëruar procedura disiplinore ndaj personave të përfshirë dhe duke kërkuar nga Prokuroria hetimin e rastit.
Përplasjet brenda LDK-së nisën pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, kur disa degë të partisë kërkuan dorëheqjen e kryetarit.
Rezultati i votimit të sotëm pritet të ndikojë jo vetëm në drejtimin e partisë, por edhe në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
