Kurti në New York: Do të angazhohemi për korrigjimin e verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në New York një bashkëbisedim me të rinjtë e diasporës shqiptare në Amerikë, në kuadër të aktivitetit “Between Here and Home”.
Foto: Ilustrim
Takimi u organizua nga grupet e të rinjve shqiptaro-amerikanë ZANI, F’Oda dhe Columbia University Albanian Society. Në delegacionin e Kosovës, sipas Kurtit, janë edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, dhe deputeti Shaip Kamberi.
Kurti tha se gjatë takimit u diskutua për zhvillimet ekonomike dhe sociale në Kosovë, përfshirë rritjen ekonomike dhe uljen e papunësisë, ndërsa theksoi edhe nevojën për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe vendimit të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës do të ofrojë mbështetje për përpjekjet për kundërshtimin e këtij vendimi në instancat e apelit, si dhe në rrafshin diplomatik.
Ai tha se Kosova do të vazhdojë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë dhe angazhimin për mbrojtjen e luftës çlirimtare, si dhe për dokumentimin dhe zbardhjen e masakrave dhe krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë.

Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”