Kurti: Institucionet në terren pas vërshimeve, situata është nën kontroll

07.01.2026

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë gjithë ditës së djeshme, në mbrëmje dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë qenë të angazhuara në terren për menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet.

Në një shkrim në Facebook, Kurti ka theksuar se edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë prezentë në terren për të përcjellë nga afër gjendjen, për të bërë ndërhyrjet e nevojshme dhe për të mbështetur institucionet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara.

Sipas tij, ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave më të prekura nga vërshimet, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës ka mbajtur në gatishmëri njësitet e saj, ka koordinuar veprimet me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka ndihmuar në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara. Kurti ka shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe mbrojtjes së infrastrukturës kritike.

Duke u bazuar në raportet e Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, kryeministri ka njoftuar se komunat e prekura nga vërshimet janë: Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi, Drenasi, Podujeva, Shtimja, Graçanica, Prizreni, Suhareka, Malisheva, Rahoveci, Mamushë, Dragash, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Klina, Istogu, Juniku, Deçani dhe Peja.

Ai ka bërë të ditur se ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren dhe se situata aktualisht është nën kontroll. “Përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri ka shtuar se gjatë natës janë kryer intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për zhbllokimin e pusetave, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie.

Në fund të postimit, Kurti ka falënderuar zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet e zjarrfikjes dhe shpëtimit, institucionet e sigurisë, si dhe qytetarët për solidaritetin dhe bashkëpunimin e treguar, duke u bërë thirrje që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të situatës së krijuar nga vërshimet.