Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për çështjen e dinarit

15.05.2024

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje, pas skadimit edhe të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë takohen në Bruksel për çështjen e dinarit Foto: Ilustrim

Emisari evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të vazhduar, sot në Bruksel, diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Do jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-s. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.

Me 12 maj, ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela, euro është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.