Studentët e UP-së triumfojnë në “Inspireli Awards 2026” në Pragë
Pesë studentë të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës kanë fituar vendin e parë në kategorinë “Archicad Prize”, në konkursin prestigjioz ndërkombëtar “Inspireli Awards 2026”, të mbajtur në Pragë.
Argeta Zekaj, Blerta Kaqorraj, Dafina Ahmetaj, Doruntina Sylejmani dhe Florian Shala u vlerësuan me çmimin e parë për projektin e tyre të titulluar “THE CRACK – Connected”.
Në këtë konkurs ndërkombëtar morën pjesë gjithsej 2,801 projekte nga 108 shtete të botës, duke e bërë këtë arritje një sukses të veçantë për studentët dhe Universitetin e Prishtinës.
Përmes një urimi, Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës ka vlerësuar talentin, përkushtimin dhe punën e studentëve, duke e cilësuar këtë rezultat si një dëshmi të potencialit të tyre për të konkurruar dhe arritur suksese në nivel ndërkombëtar.
Ky çmim përbën një tjetër arritje për studentët kosovarë në fushën e arkitekturës dhe një moment krenarie për Universitetin e Prishtinës.
