Konfirmohet rasti i parë me Virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë gjatë vitit 2026
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka konfirmuar sot, më 7 gusht 2026, rastin e parë të Virusit të Nilit Perëndimor (WNV) në Kosovë për këtë vit.
Foto: Ilustrim
Sipas IKShPK-së, rasti është një person i gjinisë mashkullore, i lindur në vitin 2005, shtetas i Republikës së Kosovës, i cili është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Pacienti është në gjendje stabile dhe po merr trajtimin e nevojshëm.
Nga hulumtimi epidemiologjik është konstatuar se pacienti nuk ka udhëtuar jashtë Kosovës në vendet ku aktualisht është raportuar qarkullim i virusit.
Virusi i Nilit Perëndimor është sëmundje sezonale, e cila shfaqet kryesisht gjatë muajve të verës dhe transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara. IKShPK thekson se virusi nuk transmetohet nga personi në person përmes kontakteve të zakonshme.
Gjatë pesë viteve të fundit, 2021–2025, në Kosovë janë regjistruar gjithsej nëntë raste të Virusit të Nilit Perëndimor. Shtatë prej tyre janë regjistruar në vitin 2024, ndërsa nga një rast në vitet 2023 dhe 2025.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, deri më 5 gusht, raste të infeksionit me këtë virus janë raportuar edhe në Itali, Greqi, Spanjë, Maqedoni të Veriut, Rumani, Francë dhe Gjermani.
IKShPK rekomandon qytetarët të marrin masa parandaluese, përfshirë përdorimin e repelentëve kundër mushkonjave, veshjen e rrobave me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, vendosjen e rrjetave mbrojtëse në dritare e dyer dhe eliminimin e ujit të ndenjur, ku mund të shumohen mushkonjat.
Instituti ka bërë thirrje që të shmanget qëndrimi jashtë gjatë agimit dhe muzgut, kur mushkonjat janë më aktive.
IKShPK thekson se nuk ka vend për panik, ndërsa situata po monitorohet në vazhdimësi.





