KEDS gjobitet me 25 mijë euro për njehsorë elektrikë me verifikim të skaduar

24.06.2026

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, KEDS, është gjobitur me 25 mijë euro pas identifikimit të njehsorëve elektrikë me afat të skaduar të verifikimit metrologjik.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka zhvilluar kontrolle në terren për verifikimin e pajisjeve matëse të energjisë elektrike.

Gjatë inspektimeve të fundit janë gjetur pesë njehsorë elektrikë që nuk kishin kaluar verifikimin e kërkuar brenda afatit ligjor. Për këtë shkelje, ndaj KEDS-it është shqiptuar gjoba në vlerë prej 25 mijë eurosh.

Sipas MINTI-t, kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që të sigurohet saktësia e matjeve të konsumit të energjisë elektrike dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorëve.

Institucionet kanë bërë të ditur se çdo njehsor në përdorim duhet të jetë i verifikuar dhe në përputhje me standardet ligjore, për të garantuar transparencë dhe besueshmëri në faturimin e energjisë.

MINTI u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë dyshime për funksionimin e njehsorëve të tyre që të paraqesin ankesat dhe informacionet përmes kanaleve zyrtare të komunikimit.