IQMT nis aksionin ndaj bizneseve të kriptovalutave dhe këmbimoreve, ndalohen 6 veprimtari

08.07.2026

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka nisur një aksion të gjerë inspektimi ndaj bizneseve që operojnë në fushën e kriptovalutave dhe këmbimoreve në Kosovë.

Aksioni është realizuar në kuadër të planit operacional për mbikëqyrjen e tregut, ndërsa inspektimet janë zhvilluar në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Gjakovës, Prizrenit, Podujevës, Rahovecit dhe Suharekës.

Gjatë ditës së parë të kontrolleve janë inspektuar 16 biznese. Sipas IQMT-së, ndaj 6 subjekteve është marrë masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë për shkak të mungesës së dokumentacionit të detyrueshëm, kryesisht për mosplotësimin e kushteve minimale teknike.

Ndërkohë, 6 biznese të tjera janë gjobitur për mungesë të dokumentacionit ligjor të nevojshëm për zhvillimin e aktivitetit.

Inspektorati ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim kontrollimin e mbi 268 bizneseve të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), të cilat kanë të regjistruar veprimtari të lidhura me ndërmjetësime të tjera monetare.

IQMT ka kërkuar nga të gjitha subjektet që operojnë në këtë fushë të sigurojnë respektimin e kërkesave ligjore, përfshirë pajisjen me pëlqimin për kushtet minimale teknike nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), si dhe licencën përkatëse nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK).