Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në aksion në tërë Kosovën për çmimet e derivateve
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar sot një aksion të gjerë inspektues në të gjithë territorin e Kosovës për të kontrolluar zbatimin e vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve të derivateve të naftës.
Foto: Ilustrim
Ky aksion është realizuar në bashkëpunim me inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës, me qëllim mbikëqyrjen e tregut dhe parandalimin e rritjes së paarsyeshme të çmimeve.
Sipas njoftimit, inspektimet janë përqendruar te më shumë se 25 operatorë ekonomikë që merren me tregtimin e produkteve të naftës për transport, në bazë të vendimit të datës 4 mars 2026 të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila.
Institucionet kanë theksuar se qëllimi i këtij aksioni është mbrojtja e konsumatorëve, rritja e transparencës në treg dhe sigurimi i konkurrencës së ndershme. Po ashtu është paralajmëruar se në rast të shkeljeve, do të ndërmerren masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi.
Inspektorati ka bërë të ditur se monitorimi i tregut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim për të parandaluar praktikat e padrejta tregtare dhe për të garantuar stabilitet në tregun e derivateve.
